Pjesëz nga romani.

Është e vështirë ta kalosh. Shumë, por jo e pamundur. Nuk është e pamundur, por tmerrësisht, thellësisht, plotësisht, katërcipërisht, shumë-anësisht e pamundur. Përjetësisht e pamundur të jem unë pa kujtimet e tua! E ndiej mungesën tënde sikundër i sëmuri medikamentin e tij. Përpiqet në fillim t’ia dalë pa atë dhe i mjeri e beson se mundet, por gjendja vazhdon përkeqësohet derisa ai dorëzohet dhe e pranon se pa e konsumuar vjen vdekja. Unë jam dorëzuar me kohë. Pa ty vjen vdekja shpirtërore. Je oksigjeni i gjakut tim i cili më rrjedh e më lumturon shpirtin. Pa ty zbrazëtia e zemrës është vetëm çështje sekondash. Zhytja në punë mund të të harrojë disa çaste, por pastaj ti gjen shteg në mendjen time dhe rikthehesh. Ti je gati kudo e kurdo, kur kam kohë të lirë, kur marr frymë e jetoj!

Ti je kudo e kurdo, nuk ka rrugë të të bllokojë. Maksimumi mundet vetëm pak çaste të të ndalojë, pastaj ti rikthehesh e vjen. Pavarësisht se e paftuar vjen. Je miku i përditshëm i paftuar, që shtëpinë time, zemrën e ka përvetësuar. Sikur natën vonë, në netët pa gjumë, kur sytë nuk mbyllen pa u lodhur me mendimin se janë tanimë pa ty, ti të shfaqeshe nga hiçi. Të trokisje në derën e shtëpisë dhe sapo ta hapja të më përqafoje fort.

“Ishte një gabim divorci ynë.”

Këto të ishin pesë fjalët e vetme që do zhurmonin heshtjen dhe do shuanin zhurmën në heshtje, sepse gjithçka tjetër do mbulohej nga përqafimi yt. Unë dhe koha do bëheshim pjesë e pandarë e jotja si dikur. Bashkëshortja ime e dashur. Më fal që të thërras ashtu. Nuk u fejuam kurrë, por ngelesh për mua bashkëshorte. Ngelesh në ëndrrat e mia, në netët pa gjumë, në mëngjeset që në fakt janë drekë, në darkat të cilat nuk vijnë asnjëherë pa trishtimin pas. Sikur të hidheshe në krahët e mia përsëri. Përse e dua gjithë botën kur nuk të kam ty?! Mbetesh një imazh, pjesë e fotografive. Nuk mund t’i gris. I mbylla në sënduk nga frika mos largohen si ti! Sikur të mund të të mbyllja dhe ty! Nuk guxoj të dal rrugëve të qytetit jo vetëm sepse kemi ecur të dy përgjatë pjesës më të madhe të tyre duke u përpjekur të ulemi në çdo park të mundshëm dhe në çdo bar, por edhe sepse çdoherë do qëllojë dhe të shoh ndonjë çift duke më bërë të më kujtohej se çfarë çifti ideal ishim ne.

Jeta na dënoi, na largoi prej nesh fëmijën të cilin prisnim, fajin për të cilin gjithmonë ma hidhje mua. Më vjen keq që nuk munda të isha burrë në ato çaste, por kafshova hekur të nxehtë për ty dhe ti kurrë nuk e kuptove këtë pjesë. Ti godisje fort me grushte gjoksin tim, pastaj kur unë të përqafoja, qaje në të. Më beso, dhembi më shumë se kur u larguan prindërit e mi. Më beso, më shpon ende sikur të kem shkelur mbi xhama dhe ende ciflat të ndodhen. Koha, hapat, ende nuk i ka shëruar. Ndonjëherë më duket se jeta është e destinuar të jetohet sikundër ndodh dhe nuk mundemi dot të shmangemi. Më dalin ëndrrat, përjetoj Déjà-vu të ndryshme. Më beso nuk dua të zgjedh këtë mënyrë jetese, por ajo më zgjodhi mua. Më beso, kur ti mbylleshe në tualet dhe qaje, unë përgjoja tek dera dhe dridhesha në heshtje. Ti hapje dushin për të mos t’u dëgjuar klithma dhe lotët ishin dushi yt, por nuk lanin trupin, veç pak dhimbjen. Unë? Mua më gëzonte pak shpirtin shpresa se ti je mirë. Të kam thënë gjithmonë se i dua fëmijët, nuk mund ta imagjinoj dot jetën pa fëmijë, por nuk do doja pasardhës më shumë se do doja vetëm të isha me ty. Në fëmijën tim nuk dua të rrjedhë gjaku im, nuk ka rëndësi, mos jetë yni, por t’i të jesh imja. Ku të shoh tani buzëqeshjen tënde? Po duart kur i vije para dhe tundeshe si fëmijë i përkëdhelur? Ku të shoh kokën tënde të turpshme që ndonjëherë të kapja mjekrën e ta ngrija lart për të të parë?! Askund. Në krahët e tjetrit do ndodhesh, tutje, kilometra larg meje. Gjithë ato vite bashkë u bënë shkrumb dhe hi vetëm në një ditë të vetme. Unë isha mbi të gjitha, por në fund të gjitha ishin mbi mua. A do pendohesh ndonjëherë? A do të dëgjoj zërin tënd nëpërmjet telefonit edhe pas dhjetë a pesëmbëdhjetë a më shumë viteve ashtu sikurse unë do doja? Qeniet humane dashurojnë shumë herë në jetë, por unë nuk ndihem njeri në këtë aspekt. Unë, vetëm një herë, për gjithë jetën. Shumë dashurojnë. Unë, vetëm ty, prej kur u njohëm, tani në të tashmen, në të ardhmen, gjithmonë.

Shkëputur nga romani “Akull dhe zjarr”.

Juljan P. Abrashi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s