Më pëlqen thjeshtësia e saj teksa më vështron me ata sy të kaltër të paprekur nga rimeli a lapsi i zi. E dua teksa fytyra e saj e pastër dhe e lëmuar mbetet e pahelmuar nga kimikatet e botës moderne. Do më lodronte zemra teksa do puthja buzën e purpurt pa qenë nevoja të përjetoja shijen e hidhur të një buzëkuqi, por të sajën stolisur me aromën e këndshme të trupit, mbuluar me melodinë e ëmbël e të lehtë të një parfumi. Me admirim e respekt ia shoh dhëmbët e bardha si rruaza të prera me mjeshtëri. Buzëqeshja aq e dëshirueshme i kalon si një valëz deti përsipra dhe bashkëpunon me gropëzat e këndshme në faqe. Pranë i derdhen flokët e dreja, të arta dhe të shpupuritura duke i mbuluar veshët e vegjël, bukur të rrumbullakosur.
Ajo mund të jetë e shkujdesur, por mbetet e bukur. E dua shkujdesinë e saj, kaosin, thjeshtësinë dhe përkujdesjen pa e tepruar. E dua flokëartën time. Sikur të mund ta dinte. Sikur të mund të guxoja ta prekja, të paktën vetëm një herë e sikur të ishte hera e fundit.
“Perëndimi i fundit.”
Juljan P. Abrashi