Sot bëhet sukses duke ngjitur shkallët njerëzore.

Kemi ardhur në një kohë, mbase ka qenë kështu gjithmonë, ku shkallët e suksesit nuk janë vetëm ide për të prezantuar rrugën e karrierës së dikujt, por në fakt individë të vërtetë. Ky fenomen cilësohet si pjesë e “Darvinizmit Social”.

Dikur, sipas Darvinit, kafsha më e fortë mbijetonte dhe nuk shfarrosej, por njeriu i ka rezistuar kësaj duke treguar se ka faktorë të tjerë mbivendosës, të ashtuquajtur pushteti dhe paraja. Zakonisht këta dy faktorë ecin paralelë me njëra-tjetrën ose më mirë, sjellin njëra-tjetrën. Ku ka vend më të bukur për ta vërtetuar këtë sesa në Shqipëri, ku sheshi bëhet përshesh.

Rëndom sheh të fuqishëm ekonomikisht të cilët bëhen pjesë e klitës pushtetare për shkak të parasë, madje flitet edhe se të drejtën për të kandiduar e marrin duke treguar muskujt e tyre të parave, ku më dorëdhëni futet në garë. Teksa flas, mbase u vjen përmend ndonjë politikan i cili as gjuhën standarde shqipe nuk di ta shkruajë apo të kryejë veprime të thjeshta matematikore, duke na bërë gazi i botës. E kujt i intereson? Askush nuk lëviz, kushdo pranon të jetë i shtypur dhe xhepat e tyre le të fryhen çdo ditë, ndërsa ne na përkulet kurrizi dhe shumë shpejt do jemi gati të na gomarizojnë sepse “kalërojnë” do dukej ende bukur. Po! Po! Gomarizojnë. Grimcat tona të protestave i marrin si të pëllitura gomari, na shfrytëzojnë e në fund prapë ne e hamë.

Të tjerë politikanë, nga arsye nga më të shumtat janë bërë pjesë e kësaj klite. Metoda më e përhapur është ajo e shkallëve njerëzore. Nis në fillim sikur i duan grupet, sikur i mbështesin, sikur janë pjesë e tyre, sa për t’i shtruar mirë e mirë e vendosur palë, sa të dëgjohen pak dhe kur vjen momenti, një joshje e vogël dhe i shkelin. I vendosin si u intereson për t’i shtypur, bëhen pjesë e tepsisë pushtetare dhe pastaj hyjnë në fazën simotër të pushetit, paraja e ëmbla para. Teksa volën njerëz, i radhitën palë-palë për t’i shfrytëzuar si shkallë karriere në jetën e tyre, tani vjelin të ardhura dhe fërkojnë barkun sepse synimi i tyre parësor apo i devijuar gjatë rrugës, u realizua. Edhe më i urti bëhet tiran. Nuk dua ta besoj. Më zgjoni.

Drejtohemi vetëm nga një numër i vogël pushtetarësh të cilët ndërrohen nga koha në kohë, por përsëri mbeten njësoj, qelben. Qelben sepse janë po ato fytyra për vite me radhë dhe nuk ndryshojnë. Disa shprehen se na drejton bishti, disa se kundërmon koka dhe ajo duhet pastruar, por ç’është më e rëndësishme, përsëri bisedat mbeten kafeneve.

Jemi pjesë e një mekanizmi ku pjesa që nuk punon nxirret jashtë loje. Jemi si ora e dorës, ku rrotat lëvizin me dhëmbza kundrejt njëra-tjetrës, rrotullohen, goditen e priten, konsumohen dhe nëse lind nevoja vajosen a ndërrohen, vetëm e vetëm që akrepat të vazhdojnë të lëvizin. Ja, këto rrotëza jemi ne dhe akrepat, xhepat e pushtetarëve. Ç’po pret? Shtro disa njerëz edhe ti, bëj nja dy shkallë, shtyp disa këtu e gënje disa atje dhe bëhu pastaj pjesë e piramidës që nuk na u nda një jetë të tërë.

Pushtetarët luajnë shah me ushtarët popull. Daltë një ushtar mbretëreshë e mos harroftë kush ishte dhe e ndryshoftë këtë vend, ndryshe na mori lumi sepse delet nuk bëhen dot përveçse kurban apo të mbeturit dele. Delja nuk u bëka luan, jo. Nuk u bëka. Zgjohuni nga ëndrra se mundet.

Juljan P. Abrashi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s