Prologu i romanit “Akull dhe zjarr”

akull dhe zjarr i riu fotoja

Prolog

31 dhjetor 1999, Tiranë, Shqipëri.

Ivelini përpiqej të pikturonte, por nuk mundej. Mendja e tij qëndronte vetëm në një vend, te lajmi i sotëm. I cingëronte në kokë çdo sekondë. Nuk mundej ta shmangte pavarësisht përpjekjeve. Mendimi vazhdonte të shfaqej duke mos u dorëzuar për t’u larguar. Teksa i mbylli sytë një çast, me shpresën se mund të lulëzonte një udhëtim i ri harrese në kokën e tij, mes heshtjes dëgjoi të qarat me dënesë të Nias në tualet. Sot mund të ishte duke u ndërmarrë vendimi më i vështirë i jetës dhe njëkohësisht dukshëm më i pashpresë. Situatë kaotike. Të dy i druheshin përfundimit të gabuar.

Jeta para këtij mëngjesi ishte e bukur për çiftin. Ai pikturonte, siguronte ndonjë të ardhur, ndërsa Nia studionte. Ivelini ka pasion pikturën. Kishte qenë një student me rezultate të larta, por, sa nga pamundësia, sa i shtyrë nga pasioni, vendosi të mos studionte. Për të ardhur keq, por si djalë i vetëm, pa prindër, zgjedhja e tij sado e pazakontë ndodhte të respektohej. Për fat të keq, para disa kohësh i humbi prindërit në një aksident automobilistik. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç dhe iu desh të përballej me jetën i ri.

Vendi ku ai qëndronte nuk i mbështeste mjaftueshëm qytetarët e tij, qofshin të vegjël në moshë, qofshin të mëdhenj, qofshin në nevojë a jo. Nëse nuk merreshin me politike duke u bërë pjesë e partive, apo të mos ishin të fuqishëm ekonomikisht, ishin të pavlerë, të harruar, të gjallë të vdekur, por Ivelini, pavarësisht këtij “privilegji”, i urrente servilizmat e kurrsesi nuk mund të shkonte sipas rrymës. Kështu e kishte përballur veten me mëshirën e “ku të të dërguarës së jetës”. Pikturonte rrugëve për të fituar të ardhura e klientë të tjerë të cilët e shihnin dhe mund të pëlqenin punën e tij, pastaj shkonte në shtëpi, mbaronte pikturat e lëna përgjysmë ose niste nga puna me porositë e reja. Dikur ishte hasur edhe në konflikte me disa policë, madje ia kishin konfiskuar disa piktura, por ai nuk tërhiqej. Dashuria nuk mund të ndalej. U detyrua të paguante taksa për çdo pikturë të shitur dhe taksë për vendin ku qëndronte. Taksë këtu dhe taksë atje, por, fundja, e tillë është jeta, një sfidë për t’u përballuar, jetuar e, në fund, për t’u larguar, sado duam a s’duam.

Çfarë fitohej ikte sa hap e mbyll sytë duke e detyruar të punonte akoma më shumë, madje edhe kur binte shi apo kur ishte ftohtë. I fuste pikturat shpejt e shpejt në koliben e tij e pavarësisht së ftohtit vazhdonte të zhytej në punë. Nuk kishte ngrohëse, por nuk dorëzohej. Ndonjëherë në dimër, i veshur trashë me shall e me dorashka, pikturonte me dorën teksa i dridhej, por, sido të ishte puna, nuk e braktiste sfidën. Çmenduria më e madhe ishte se nuk pikturonte dot me dorashkën në dorë, prandaj kishte prerë tre gishtat e parë të anës së djathtë. Përgjithësisht dora i ngrinte nga temperaturat e ulëta dhe të tre gishtat i çaheshin duke pompuar. Vetëm atëherë nuk mundej më të pikturonte për pak. Fillonte i ngrohte me pak frymë dhe i fërkonte duart fort me njëra-tjetrën, pastaj i fuste në xhep dhe fillonte lëvizte lart e poshtë pa ndalim për t’u nxehur gjithë trupi.

Për fatin e tij të mirë, Tirana nuk është shumë e ftohtë e me shumë borë, përndryshe mund të kishte marrë ndonjë sëmundje. Kur shkonte në shtëpi, gjithmonë bënte një dush të ngrohtë mirë e mirë dhe strukej pas zjarrit për pak ngrohtësi. Si do t’ia bënte pa çati mbi kokë? As vetë nuk e dinte. I falënderonte ata prindër mijëra herë, sidomos në dimër, për lënien pas të asaj trashëgimie. Më së shumti e zinte gjumi ashtu i strukur. Dushi i ofronte përgjumje. Gjithmonë zgjohej nga i ftohti. Zjarri ishte i fikur, dhoma fillonte ftohej pak e nga pak e trupi nuk duronte dot më. Vendi kthehej nga një furrik i vogël plot vrima në një frigorifer të llahtarshëm. Zgjohej, ngrihej dhe bënte pak ushtrime. Mbushte disa bidona me ujë të nxehtë dhe i mbante pranë, afronte telajot afër shtratit, mbulohej me batanije dhe pikturonte. Shumë herë e kapte përsëri gjumi derisa zgjohej të nesërmen vetvetiu apo nga një zile alarmi. E vendoste alarmin më parë. E dinte se nëse e linte për në fund mund të harronte apo të ishte tepër vonë. Sado vrastare e pranonte monotoninë sepse e ndjente se nuk kishte zgjedhje tjetër. Jeta nuk i ofronte të pasme të ngrohta dhe as xhepa të mbushur. Ajo i ofronte një luftë xhungle, fillikat e me pak mundësi.

Pikturën e kishte jetë. Kur realizonte diçka të bukur sikur mbushej me frymë dhe nuk ndihej aq i vetmuar. Kishte kështu një ëndërr, dëshirë e synim për t’u bërë ndër më të mirët. Për shumë kohë ishin vetëm të dy, ai dhe dashuria e tij për pikturën, derisa njohu Nian. Përpara Nias nuk e kishte njohur ende ndjenjën për një femër. Dashuria për Nian nuk ishte si piktura. Në mendimet e tij i dukej pak më e vogël e madje as mund ta shpjegonte se çfarë ndjente. E vinte në dyshim, e quante vetëm fiksim, mijëra emra të tjerë, pastaj gradualisht e pranoi se ajo ishte një nevojë e lumturisë së tij, sikundër piktura. Ndihej më i plotësuar. Kishte një trup real për të përqafuar, një mbështetje, një shpatull dhe jo vetëm bojërat hedhur në fletën e bardhë. Dikë që edhe mund ta kuptonte, jo një e folur me veten si piktura.

Nia vinte nga një qytezë e vogël, Librazhdi. Për të Tirana ishte hera e parë jashtë familjes. Ajo jetonte në konvikt me pesë shoqe të tjera derisa u transferua për të jetuar me Ivelinin, pa dijeninë e familjes të cilët vazhdonin të paguanin konviktin. Legjenda të ndryshme thonë se konviktoret shkojnë në kërkim të djemve për t’i mundësuar vetes një jetë më të mirë, por ajo e donte Ivelinin. Çfarë do të fitonte fundja nga Ivelini? Kishte mundësi shumë më të mira, por atë e donte. Kishte djem të shumtë me plot mundësi më të mira që e ngacmonin dhe e bezdisnin, por ja tek ishin ende bashkë duke vuajtur në përpjekje për t’ia dalë ashpërsisë dimërore të jetës. Ky varg i gjatë fillonte nga të pakulturuarit, të pashkolluarit e deri te tipat me makina nga më të shtrenjtat.

Asgjë. Asgjë nuk ka në jetë më të rëndësishme për Nian se dashuria, se vatra e ngrohtë familjare. As paraja e as pushteti, as luksi e as moderniteti. Ivelini i dhuronte buzëqeshje në zemër. Ishte i vetmi që mund t’ia ngrinte lumturinë pezull në jetë e ta përplaste poshtë nëse diçka i ndodhte. Në sytë e saj, ai, ishte perandori, mbreti, i gjithëpushtetshmi, i vetmi, uniku. A ka ndjenjë më të bukur se kjo?

Ivelini nuk e kuptonte gjithmonë. Ishte ndryshe në këtë aspekt. Dashuria për të ishte e rëndësishme dhe ndjenjë e bukur, por jo aq shumë sa të tjerët e bëjnë. Njeriu mund t’ia dalë i vetëm në jetë, ashtu si ia doli pa prindërit e tij të çmuar që e rritën me plot vështirësi. Pikërisht ky këndvështrimi jo fort i këndshëm mbi dashurinë, për fatin e keq të Nias, nuk ishte në favor të saj. Ishte torturuar nga këndvështrimi i Ivelinit, por nuk hiqte dorë. Lufta e saj solli shpërblimin. Së fundmi, pikëpamja e tij lëkundej çdo ditë e më shumë dhe ky ndryshim i ngrohte zemrën Nias.

Sonte mbyllej viti i ri duke i hapur rrugën edhe një mijëvjeçari të ri, por kujt i duhej prej atyre të dyve? Bota buçiste prej fillimit të vitit e deri tani në fundvit për këtë ndodhi sikur të mos ishte njësoj si të gjitha vitet. Ishte dhe nuk ishte njësoj. Për disa ishte ndodhia më e veçantë, për disa vetëm ndryshim shifrash si çdo fundvit. Për ata të dy ishte një vendim jete. Ndodheshin në humbëtirën e tyre.

Nia mësoi se ishte shtatzënë, por fëmija nuk mund të mbahej. A kishte lajm më të hidhur se ky? Pretendohet të jetë lajmi i cili duhet të gëzojë të gjithë, por padyshim është një lajm shokues sepse një shpirt i vogël destinohej të abortohej. Mentaliteti i kalbur, jeta e varfër, mundësitë e pakta, i kishin mbërthyer me shpatulla pas murit dhe me duar në grykë i bërtisnin plot presion: “Abortoje! Abortoje!” Fjalët e liga kumbonin në kokë dhe nuk mundej të kundërpërgjigjej. Fëmijët nuk ishin çokollata. Nuk vinin te dera e ti vendosje t’i merrje apo jo, gjithsesi përsëri nuk kishte forcë të kundërpërgjigjej. Fëmija është burim jete, trashëgimia, gëzimi. Fëmija është lodhja e cila të çlodh, por si të vepronin ata? A kishte zgjidhje? Jo! Asnjë organizatë e mallkuar, asnjë mbështetje nga institucionet. Në mëshirë të fatit. Në favorin e tyre ishte vetëm dashuria ndaj një qenie të vogël të pafajshme.

Mentaliteti dëshironte t’i përdhoste, varfëria po ashtu. Mundësitë e pakta, mungesa e punës e shumë të tjera qeshnin me ta. Fëmija nuk është lule e cila rritet vetëm me ujë dhe dritën e diellit. Ata duhet ta kishin menduar më parë këtë, por të papriturat ndodhin. Thjesht ndodhi. Nia vazhdimisht e përqafonte dhe i thoshte Ivelinit: “Si do t’ia them babit për këtë? Ai kishte shpresa tek unë si një studente me rezultate të larta e cila shumë shpejt do të nxirrte familjen nga skamja.” Duart plot gjak punonin ditë-natë për të siguruar ato pak të ardhura për universitet, ndërsa vajza e braktis luftën e tyre duke e turpëruar në të njëjtën kohë. Viti i parë larg familjes dhe shtatzënë. A kishte turpërim me të madh për një baba në një qytet të vogël? Një qytet, i cili vetëm flet dhe mjafton të ketë pak material për të bërë thashetheme?

“Si të le unë shkollën tani?”- qante një hov, pastaj vazhdonte të fliste dhe shkulte flokët me zë vajtimi. “Ata presin nga unë. Presin rezultate të larta, presin ta kurorëzoj me sukses dhe të nis një punë të mirë. Çfarë bëj unë? Kryej marrëdhënie, mbetem shtatzënë!”

Godiste veten. As plagët e trupit nuk mund t’ia largonin dhimbjen e shpirtit dhe as mund ta zgjonin sikur të ishte ëndërr. Koha nuk kthehej pas, gabimet nuk korrigjoheshin. Për shumë çifte, shtatzënia është gëzimi më i madh, por për ata, tavani u kishte rënë mbi krye. Ivelini e përkrahte me një forcë e cila i nevojitej dhe atij. Si një thikë e shponin në zemër fjalët e saj. As ai nuk mund ta bënte, as ai nuk binte dakord, por ç’të bënte i mjeri? Nuk ia pohoi asnjëherë se nuk e donte fëmijën. Ai e donte atë fëmijë, sado vështirësive, por çfarë mund të thoshte familja, të afërmit, shoqëria; zhdukja e ëndrrave të saj, lotët, problemet, varfëria, papunësia? Oh, sa herë i kishte menduar këto probleme. Një mori arsyesh vlonin në kokën e tij dhe e kishin ngrirë, gjymtuar e mbërthyer dhe ai vetëm priste të mbaronte makthi i papritur. Vetëm priste fundin.

Nia kishte një medikamentet aborti në çantë. Prej orësh përpiqej të bëhej gati për t’i pirë, por nuk kishte guxuar. Prej më shumë se dhjetë minutash e mbante në duar dhe i ulur në divan priste fjalën nga Ivelini “zemër, mos e bëj”, por asgjë. Ai bënte sikur i interesonte ajo pikturë a mallkuar. Përpiqej mos e kthente kokën e të mos krijonte kontakt me sytë e saj. E dinte se ata sy nuk i përballonte dot t’i shihte dhe do të shkonte drejt saj, do ta puthte e përqafonte dhe do të qante, do t’i tregonte sa i dobët dhe i pashpresë ndihej. Do ta dëshmonte se nuk ishte burrë e më mirë të vdiste. Ajo e shihte ngultas me shpresën thellë brenda saj se mund të gjendej një zgjidhje, por më kot. Nuk e kthehu kokën as për një çast. Shmangia, mosinteresimi, heshtja e vrisnin më shumë. E gërryenin nga brenda dhe i hanin shpirtin.

Për herë të parë e urreu atë djalë dhe nuk dëshiroi kurrë më ta shihte. Ishte aq therëse situata sa Nia shkoi të dergjej me lot në tualet e me medikamentin e pahapur shtrënguar te dora. Nuk e dëshironte. E përplaste, e shante, e mallkonte veten, jetën e saj, pamundësinë për t’u zhdukur nga ai vend. Mallkonte për mungesën e mbështetjes nga Ivelini, pastaj e shihte se nuk kishte zgjidhje dhe e rimerrte në duart e mbushur me lot. Duhet t’i pinte.

Ivelini nuk duronte më. Tani, tek ishte vetë, nuk mund të shtirej. Përplasi penelin fort në tokë, e hodhi telajon tutje, shembi gjithë tavolinën e bojërave. Ato u derdhen në dysheme, u përzien me njëra-tjetrën e krijuan lëmshin e jetës së tyre. Mori portofolin dhe doli jashtë. Kishte dëshirë për pak ajër të freskët, por më e rëndësishme për pak alkool e cigare. Hap derën dhe del. Ajri i ftohtë i përplaset menjëherë në fytyrë. Një portë u hap, por një jetë po shuhet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s