Përbindëshi që vetë e ushqyem, po na del nga kontrolli. Reflektim mbi Tiremaninë.

Kjo puna e korrupsionit në Shqipëri është si “veza e bëri pulën apo pula vezën”. Ishte korrupsioni para nesh apo e sollëm ne? Të bën të dyshosh sepse është tmerrësisht i prekshëm; e gjen kudo, në presidencë, parlament, bashki, gjykata, universitete, spitale, aty ku plotësohen dokumentacione dhe janë në dukje transparente e aty ku nuk është nevoja e lehtësisht fshihen, nga lindja ku doktori pret së pari atë verdhushkën pa të lëvizë gishtat të lindësh sa më parë e deri në vdekje për të gjetur një copë vend për t’u prehur në paqe.

Më kujtohen ndonjëherë bisedat mbi korrupsionin dhe të mirat e tij. Çuditesha si plot bashkëbisedues, e disa edhe me krenari e quanin si të mirë që ka Shqipëria dhe se duhej të vazhdohej të aplikohej. Argumentet bazë ishin mbaron punë shpejt e nuk pret në radhë, kur gabon dhe je kundravajtës apo thyes ligji (sepse njerëz jemi) dënohesh pak apo aspak, bëhet puna më mirë sepse pagesa rrit vëmendjen e deri te fitojmë përgjithësisht pak e vetëm kështu mbijetojnë shqiptarët. Kur i krahasoja ata me të cilët ishin pro dhe kundër, zakonisht ata pro kishin dhe të afërm me fuqi vendimarrje. Domosdo, kur ligjin e bën maliqi, të duket e drejtë. Nuk të ka qëllur të jesh si në burg dhe të mohosh të drejtën tënde apo ta flakësh tutje sepse je pjesë e një cikli djallëzor që nuk del dot.

Tiremania po bën gjëmën. E mbaj mend, edhe pse jam tepër i ri në moshë, si ishin fillimet e abuzimeve. Jepi jepi një dyqind leksh, se gjynah, punojnë shumë e fitojnë pak. Sa nga keqardhja apo nga bujaria se ne jemi popull i mirënjohjes dhe të faleminderit nuk mjafton, kjo qime u bë tra. E do një lekë mjeku se na shpëtoi apo se lindi nusja, e do edhe infermierja, mamia, e do edhe pastruesja. E do një lekë dhe u bënë dy, e tre, e tetë milion nuk duken më gjë sepse ne kemi thyer moralin e tyre. Në fillim kur bën një gabim, të duket sikur gjithë bota flet mbi atë gjë dhe sikur sytë e çdokujt rreth teje të përndjekin, por pastaj bëhet normale si fryma që merr. Pikërisht se kjo zhvatje që ishte aq normale, aq edhe e dukshme para dyerve të spitaleve teksa familjarët presin me akth e pasiguri, tregon sa i përçudnuar është sistemi në Shqipëri, në çdo aspekt.

Tiremania është vetëm një kokërr rëre në korrupsionin masiv shqiptar. Ma shpifi kur bëra kartat e makinës në Shqipëri apo disa profesorë te universitetit. Dija, edhe niveli i lartë akademik i përdhosur; e neveritshme. Kadastra e zyra të kthyera në pronë familjare apo shoqërore. Parti politikë të kthyera në pronë dhe të trashëgueshme. Babëzi e pamoraltë e hapur, para syve, pa pikë turpi. Madje është aq thellë brenda nesh sa është e vetëkuptueshme që nuk mbaron punë pa dhënë para, nuk mbijeton pa qenë pjesë e sistemit. Jemi të gjithë fajtorë. Boll me të qenurit dakord duke dhënë para për të zgjidhur punë. Ndalu para se të na vrasi më tej. Protesto, kundërshto, anashkalo, bëj ç’të mundesh, dhe DENONCO. Duke vazhduar së qenuri dakord si pjesë e përditshme e korrupsionit, kemi për të vrarë veten me duart tona. Politikanët e qelbur do të jenë zgjedhja jonë e vetme nga të gjitha partitë politike, ata të pranueshmit apo të duhurit nuk do të marrin dot frymë dhe do të shuhen pa u shfaqur mirë. Llumi ka për të sjellë llumin dhe pjesa më e madhe e drejtuesve do të jenë të përlyer, apo mbase janë tashmë? Nuk vidhet më tej kur nuk ke lolo poshtë teje, marioneta, që i hedh dhe i përdredh si të duash.

Në fund ne e hamë. Ata që vodhën dhe që kanë, ikin jashtë shtetit dhe trajtohen; me çarter privat, hej. Dënimin ligjor për korrupsion nuk e marr fare në konsideratë se ligj njerëzor është dhe përdhoset, hidhet e përdridhet, por ata po shmangin edhe ligjin naturor sepse paraja blen shëndetin. Ti trajtohesh si një qelbësirë e pavlerë kur nuk ke asgjë. Nuk të japin as ujë, as bukë, as trajtim, as nota e as diplomë, as vend pune, as dokumentat e pronës, as të drejtën e dëmshpërblimit, as pafajësi, as fajësi. Ti vritesh… çdo ditë, pak e nga pak, vritesh. Ndal, protesto, denonco!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s